Rrëfimi i Shemsije Lladrovcit: Në dasmën tonë ishte edhe Adem Jashari me njësitin e parë të UÇK-së

Shemsije Lladrovci, bashkëshortja e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ndarë një kujtim të veçantë nga jeta e saj, duke treguar se në dasmën e tyre, më 2 shtator 1990, të pranishëm ishin edhe Adem Jashari me njësitin e parë të UÇK-së, transmeton DrenicaOnline.
Ajo kujton se dasma u zhvillua në rrethana të jashtëzakonshme, në një kohë kur flamuri kombëtar ishte i ndaluar, ndërsa policia serbe ushtronte presion mbi qytetarët.
“Në mesin e krushqve tanë ishin Fehmia dhe Xheva me shumë shokë të idealit, dhe vetë Adem Jashari me njësitin e parë të UÇK-së”, shkruan ajo.
Lladrovci përshkruan momentin kur Fehmi Lladrovci u kishte thënë burrave të krushqisë: “Kush është burrë me e mbrojtë flamurin, le të hyjë në kerre. Të tjerët le të na presin këtu, për çdo rast”, ndërsa armët ishin shpërndarë për t’u mbrojtur.
Ajo kujton se gjatë rrugës policia priste në Terstenik, por nuk i ndaloi. Në Polluzhë, sipas zakonit, u shtinë armë në ajër, teksa babai i saj kishte thënë: “Dasmën, dhe gjakun të përbashkët i kemi.”
“Pas kerrit të nuses, vinte kerri i Adem Jasharit me shokët e tij. Kur arritëm në shtëpi, Ademi i kërkoi leje babës Tush: ‘A po na lejon ta shkrepim ndonjë?’ Dhe aty u shtinë armët, me pushkë e me rafale, jo për frikë, por për nder”, kujton Shemsije Lladrovci.
Sipas saj, që nga ajo ditë, çdo natë, burrat e lagjes bënin roje me radhë, duke e shndërruar dasmën në një ngjarje që do të mbetej e paharrueshme për historinë./DrenicaOnline/