Ramiz Lladrovci: Shpifjet, fyerjet dhe dezinformatat nuk kanë vend në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe kandidati për edhe një mandat, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj shpifjeve dhe dezinformatave që po qarkullojnë në rrjete sociale. Ai ka theksuar se praktikat e tilla nuk do të kenë vend në këtë fushatë zgjedhore.

“Shpifjet, fyerjet dhe dezinformatat nuk kanë vend në Drenas,” ka thënë Lladrovci, duke kujtuar se në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2021, pas përfundimit të procesit, organet e rendit dhe të drejtësisë kishin zbuluar shpifësit, të cilët më pas u dënuan për përdorimin e 18 profileve të rrejshme në Facebook dhe media të tjera.

Sipas tij, edhe gjatë këtij viti, të njëjtit autorë të dënuar më herët, së bashku me disa familjarë të një pretendent për kryetar dhe dy kandidatë të listës “Dada Raza”, kanë vazhduar me të njëjtën praktikë përmes profileve të tjera. Ata, siç tha Lladrovci, shpifin, fyejnë, komentojnë dhe publikojnë video montazhe e fotografi të manipuluara në adresë të tij dhe angazhimit politik.

“Deri më tash, disa dezinformata të këtij ‘ekipi’ janë demantuar nga z. Xhavit Haliti dhe z. Lirim Mehmetaj, të cilët i falënderoj për sqarimet shtesë duke u mbrojtur edhe ata edhe unë nga këta shpifës. Formula e zgjedhjeve të kaluara ‘shpif, shpif se diçka mbetet’, nuk do t’ju ecë,” ka theksuar ai.

Në fund, Lladrovci u ka dërguar një mesazh të qartë shpifësve: “Shpifësve me profile të rreme, keqbërësve të njohur për opinion, të kalitur për dezinformata, gjysmë të vërteta dhe montazh të ulëta, ju them mjaftë. Shpifjet, fyerjet dhe dezinformatat nuk kanë vend në Drenas. Sërish do të përballeni me drejtësinë. Nuk mund ta ndalni fitoren tonë ‘Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin’”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë