Lladrovci viziton Shoqatën e Peshkatarëve Sportiv dhe Rekreativ “Drenica” në Vasilevë

Shoqata e Peshkatarëve Sportiv dhe Rekreativ “Drenica” në Drenas është treguar shumë e përkushtuar në peshkim dhe promovimin e peshkimit rekreativ e sportiv në Liqenin e Vasilevës.
Rregullimi dhe mbrojtja e ambientit në këtë zonë pitoreske, si dhe krijimi i kushteve për peshkim rekreativ e sportiv, janë angazhime që sjellin kënaqësi për anëtarët e shoqatës dhe peshkatarët mysafirë.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjatë një vizite falënderoi kryetarin e Shoqatës, Florim Kiçina, për angazhimin dhe promovimin e vlerave të Liqenit të Vasilevës, duke e bërë atë një zonë të veçantë dhe të njohur në Kosovë për peshkim.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për anëtarët e shoqatës për punën në rregullimin e bregut të liqenit dhe për përkushtimin në promovimin e peshkimit rekreativ e sportiv, duke krijuar vlerë të shtuar për komunën e Drenasit.