Shukri Buja: Lipjani meriton arsim modern, ndryshimi është i domosdoshëm

Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, në ditën e parë të vitit të ri shkollor ka shprehur respektin për mësimdhënësit dhe njëkohësisht ka kritikuar gjendjen e arsimit në komunë.

“1 Shtatori është dita e dijes, dita e mësuesve dhe dita e së ardhmes. Sot kafen e mëngjesit e ndamë me mësimdhënës të nderuar, njerëz që me sakrificë dhe përkushtim i kanë dhënë jetë arsimit në vendin tonë dhe kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës. Respekti për ta është udhërrëfyes për të ardhmen time në qeverisje me Lipjanin”, ka thënë Buja.

Ai ka theksuar se, përkundër përkushtimit të mësimdhënësve, komuna ka dështuar në krijimin e kushteve të dinjitetshme për arsimin: shkolla me objekte të vjetruara dhe të amortizuara; mungesë sallash sportive dhe laboratorësh modernë; klasa të mbipopulluara; mësimdhënës të lënë pas dore e të parespektuar.

“Ndryshimi është i domosdoshëm. Ne nuk do të lejojmë që fëmijët tanë të rriten në shkolla të shekullit të kaluar. Çdo nxënës do të ketë kushte moderne, çdo shkollë do të ketë infrastrukturë bashkëkohore dhe çdo mësimdhënës do të trajtohet me dinjitetin që meriton. Lipjani meriton arsim të cilësisë më të lartë, dhe kjo do të jetë prioriteti ynë politik e qeverisës”, është shprehur Buja.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë