Memli Krasniqi: Vota e PDK-së nuk ishte për Dimalin, por për t’i dhënë fund bllokadës institucionale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas votimit të Dimal Bashës si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se mbështetja e PDK-së nuk ishte për individin, por për t’i dhënë fund bllokadës institucionale.
Ai ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje se kanë ndërtuar një filozofi politike mbi demonizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të saj.
Ky është reagimi i plotë i tij:
Nëse është dikush që e ka pasur mënyrë jetese demonizimin e UÇK-së dhe të udhëheqësve të saj, ai është Albin Kurti. Rrjedhimisht, gati secili që i është bashkuar atij, ka pasur ose ka përvetësuar të njëjtin mentalitet.
Shembulli i propozimeve nga Lëvizja Vetëvendosje për Kryetar të Kuvendit e tregon më së miri: Albulena Haxhiu, Donika Schëartz, Hekuran Murati – të tre me qëndrime dhe veprime kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj. Njëra duke ua zvogëluar fondet e mbrojtjes në Gjykatën e Hagës, tjetra duke pranuar se ka dorëzuar dosje kundër krerëve të UÇK-së, e tjetri duke përjashtuar nga paga minimale kategoritë e luftës çlirimtare dhe duke i fyer luftëtarët e lirisë në krahasimet që ua bënte me mercenarë.
Edhe Kryekuvendari i ri, me artikullin e tij morbid kundër UÇK-s, i cili doli dje në pah, vetëm sa e konfirmon filozofinë e Vetëvendosjes: sa më shumë të distancohesh nga UÇK-ja, aq më shpejt ngjitesh në parti. Kjo edhe mund të jetë formula e tyre e brendshme.
Vota jonë nuk ka qenë për individin – por për të mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, me qëllim të dhënies fund bllokadës institucionale. Por, edhe për ta zhveshur Vetëvendosjen dhe për ta vënë para reflektorit publik të së vërtetës. Sepse, gjatë janë fshehur e amnistuar prapa Glaukave, por në fakt këta janë Dimala. Nëse ndokush ka pasur dyshime, qoftë edhe brenda elektoratit të tyre, sot besoj e kanë të qartë këtë.
Prandaj, turpi i mbetet Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, të cilët me insistim e kandiduan Dimal Bashën. Por, një gjë po vërtetohet edhe tash, siç e kishim thënë në dy herët e kandidimit të tij – ai nuk është i denjë që të jetë Kryetar i Kuvendit.
Ndërsa, sa për PDK-në, partinë që e pasoi UÇK-në, pavarësisht gjithçkaje e çdo zhurme, do ta mbrojmë me çdo kusht, si çdo herë tjetër, luftën e UÇK-së dhe shtetin e Kosovës.