Shukri Buja kujton heroin Ismet Jashari – Komandant Kumanovën

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka përkujtuar sot heroin e kombit, Ismet Jasharin – Komandant Kumanovën, në përvjetorin e rënies së tij, njëkohësisht edhe përvjetorin e dëshmorëve të Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut.

Buja tha se Ismet Jashari ishte një ikonë e luftës, organizimit dhe disiplinës ushtarake, duke sjellë në kujtesë momentet e shumta të veprimtarisë së tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), në redaksinë e gazetës “Zëri i Kosovës”, si dhe rrugëtimin drejt Kosovës në mars të vitit 1998 bashkë me bashkëveprimtarët.

“E kujtoj në betejat heroike të Llapushnikut e Carralevës, Qafës së Duhlës e Blinajës. E kujtoj në plagët e lirisë, në Kleçkën legjendare, ku lufta u bë histori dhe gjaku u bë flamur”, tha Buja.

Ai shtoi se momenti i fundit me Komandant Kumanovën ishte kur i kishte dhënë një këmishë ushtarake, të cilën ai e kishte dashur shumë.

“Sot, kujtimet më rëndojnë, por ato janë kujtime të lavdisë. Ti u përjetësove më 25 gusht 1998 për t’u kthyer në legjendë. Lavdi veprës, luftës dhe jetës së Komandant Kumanovës! Lavdi dëshmorëve të Brigadës 121 të ZO të Pashtrikut! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit”, përfundoi Buja.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë