Marigona Krasniqi nga Drenasi sjell librin e ri me tregime “Dy premtime”

Letërsia shqipe është pasuruar me një vepër të re. Autorja Marigona Krasniqi ka botuar përmbledhjen e saj më të fundit me tregime, të titulluar “Dy premtime”.

Me një gjuhë të thjeshtë, stil origjinal dhe rrëfime të fuqishme, Krasniqi sjell një qasje unike në letërsinë bashkëkohore. Personazhet e saj – Artani, Besniku, Gresa, Aurora, Fatjona e të tjerë – janë figura të zakonshme nga realiteti ynë, por që kanë të përbashkët besimin në Zot dhe dashurinë për atdheun.

Në tregimet e librit, ata shfaqen si njerëz të guximshëm që ëndërrojnë, luftojnë dhe nuk dorëzohen përballë sfidave, pavarësisht paragjykimeve apo pengesave. Autorja, me një mjeshtëri të veçantë rrëfimi, ndërthur realitetin me imagjinatën, duke ofruar histori që i japin lexuesit ndjesinë e një realiteti të prekshëm.

“Dy premtime” është më shumë se një përmbledhje tregimesh; është një udhëtim nëpër betejën mes së mirës dhe së keqes, ku sipas autores, e mira gjithmonë triumfon. Libri i fton lexuesit ta kthejnë durimin në forcë, vuajtjen në motiv dhe padrejtësinë në shtysë për drejtësi.

Me këtë vepër, Krasniqi rikthen vëmendjen tek tregimi – një zhanër shpesh i lënë në hije në letërsinë moderne – duke i dhënë gjithashtu zë letërsisë islame në hapësirën tonë kulturore. Kritika e ka cilësuar librin si një “premtim për një shkrimtare të madhe”.

Marigona Krasniqi deri tani ka botuar pesë libra nga zhanre të ndryshme si poezi, roman, fjalë të urta dhe tregime.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë