Shtëpia e një mërgimtari në Skenderaj shënjestër e të shtënave me armë

Një rast i pazakontë është raportuar në Skenderaj, ku një shtëpi është dëmtuar nga të shtëna me armë zjarri.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 18 gusht 2025, rreth orës 14:00, në stacionin policor ka ardhur për të raportuar L. I., i cili jeton në mërgatë dhe kishte ardhur për pushime.

Ai ka deklaruar se në shtëpinë e tij kishte vërejtur dëmtime në dritaret e katit të parë, ku roletat dhe xhamat mbanin vrima që dyshohej se ishin shkaktuar nga predhat e një arme.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet patrulluese, hetuesit dhe krim-teknika, të cilët kanë konstatuar se roletat ishin të shpuara në 24 vende, ndërsa në dy pika ishte dëmtuar edhe xhami i dritareve.

Policia ka gjetur në vendngjarje dy saçmë predhash nga një armë gjuetie, të cilat ishin të dëmtuara dhe nuk mund të ekzaminoheshin. Ende nuk dihet koha kur është kryer dëmtimi.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet për identifikimin e autorit janë duke vazhduar.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë