Ramiz Lladrovci: “Nuk hyj në gropën që kanë hapur keqbërësit”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në skenën politike lokale, duke theksuar se nuk do të bëhet pjesë e provokimeve dhe ngatërresave të qëllimshme.

Ai ka kujtuar se fushatat zgjedhore në Drenas kanë qenë tradicionalisht më të ashpra se në komuna të tjera, veçanërisht ato të viteve 2016, 2017 dhe 2021.

“Situata në vitin 2021 ishte veçanërisht agresive, kur Dega e PDK-së hyri në zyrat e reja, vetëm 150 metra larg nga zyrat e ‘DD’. Provokimet dhe gjuha e rrugaçëve ndaj grave që kalonin pranë atyre zyrave ishte e papranueshme”, ka deklaruar ai.

Lladrovci thekson se nuk ka qenë i informuar për vendosjen e një subjekti tjetër politik në të njëjtin objekt dhe e konsideron si provokim vendosjen e degës me logon e PDK-së vetëm një kat më lart.

“Vendosa të largohem nga zyrat që janë pronë private për të shmangur ngatërresat me simpatizantët. Fundja, nuk hyj në gropën që kanë hapur keqbërësit”, ka theksuar kryetari i Drenasit.

Ai gjithashtu ka reaguar ndaj deklaratave të Degës së PDK-së, duke thënë se shpifjet dhe ngatërresat janë i vetmi mjet që ata mund t’ua ofrojnë qytetarëve.

“Së bashku me qytetarët do t’ua tregojmë vendin më 12 Tetor”, ka përfunduar Lladrovci./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë