“Bashkimi Demokratik” mobilizohet për zgjedhje, mbahet takimi me kandidatët për Asamblenë (Foto)

Partia politike “Bashkimi Demokratik” ka mbajtur një takim informues dhe mobilizues me kandidatët e listës për Asamblenë Komunale të Drenasit, transmeton portali DrenicaOnline.

Gjatë takimit, kryetari i partisë, Prof.dr. Ajvaz Berisha, së bashku me nënkryetarët Izjah Çelaj dhe Arbër Halilaj, informuan të pranishmit për aktivitetet e deritanishme, procedurat e kaluara zgjedhore, mobilizimin në terren dhe mënyrën e prezentimit të programit të BD-së para votuesve.

Po ashtu, u diskutua për përgatitjet në vijim për fushatën, bashkëpunimin me mediat dhe informimin e opinionit publik, por edhe për çështje tjera me rëndësi në procesin zgjedhor.

Kandidatët e pranishëm shprehën motivim dhe përkushtim për të arritur një rezultat të suksesshëm në zgjedhje, duke theksuar se vizioni i “Bashkimit Demokratik” është alternativa më serioze ndaj partive që kanë udhëhequr komunën për 26 vite, të cilat – siç u tha – e kanë çuar Drenasin në regres, nepotizëm dhe korrupsion.

Nga kjo parti u theksua se BD del ballëhapur para qytetarëve me program modern, pa hipoteka nga e kaluara, pa premtime utopike dhe me vizion konkret e të realizueshëm.

Në fund të takimit, “Bashkimi Demokratik” ka bërë thirrje për angazhim të secilit qytetar në mënyrë që Drenasi të ndërmarrë rrugën e ndryshimit.

“Drenasi im, bashkohu për ndryshim” – thuhet në komunikatë./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë