Nëna me djalin nga Shqipëria rrahin dhëndrin në Abri të Epërme, përfundojnë në ndalim

Një ngjarje e pazakontë është shënuar paraditen e 11 gushtit në fshatin Abri e Epërme të Gllogocit, ku një burrë ka përfunduar në spital pas sulmit fizik që ka pësuar nga familja e gruas së tij.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rreth orës 12:21, Policia u njoftua nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Drenas se një person po trajtohej për lëndime trupore të shkaktuara nga dy persona.
Hetimet zbuluan se viktima ishte i martuar me një shtetase të Shqipërisë, me të cilën kishte dy fëmijë.
Një ditë më parë, ai kishte marrë për vizitë në shtëpi kunatin e tij E.Lukra (2007) dhe nënën e tij V.Lukra (1976), shtetas të Shqipërisë me banim në Greqi.
Sipas dëshmisë së nënës së viktimës, mëngjesin e së hënës, rreth orës 11:00, gjatë qëndrimit në dhomën e pritjes, mysafirët e kishin sulmuar fizikisht viktimen duke e goditur me grushta dhe shqelma. Viktima mori trajtim në QKMF-Drenas dhe më pas u transferua në QKUK-Prishtinë.
Të dyshuarit u shoqëruan në Polici dhe, me urdhër të prokurorit kujdestar, E.Lukra u ndalua për 24 orë, ndërsa V.Lukra për 48 orë.
Rasti po hetohet për “Lëndim të lehtë trupor”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.