PDK demanton kryetarin e Lipjanit: Askush nga Blinaja e Magura nuk ka kaluar në LDK

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti duke i cilësuar ato si shpifje dhe gënjeshtra. Sipas PDK-së, pretendimi se anëtarë të saj nga Blinaja dhe Magura kanë kaluar në LDK, nuk qëndron, transmeton portali DrenicaOnline.
“Nuk është çudi që kryetari në largim shpif e gënjen, por për hir të opinionit publik, sqarojmë se asnjëri prej të apostrofuarve në fotografi nuk është anëtar i PDK-së. Madje, baba i Sekretares së kryetarit në largim, Rasim Qadraku, është njëri prej pjesëmarrësve në takim”, thuhet në reagim.
PDK bën të ditur se anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e saj në Blinajë nga familjet Qadraku, Mëziu e Nishori, si dhe nga familja Bardhi në Magurë, mbeten të vendosur ta dërgojnë kryetarin aktual në opozitë.
Në reagim, kryetari Ahmeti akuzohet për projekte skandaloze dhe keqmenaxhim në këto vendbanime, për të cilat, sipas PDK-së, ekziston edhe aktakuzë ndaj zyrtarëve komunalë.
“Këto dështime ai po përpiqet t’i mbulojë përmes shpifjeve për të krijuar mjegull në opinion”, përfundon reagimi i PDK-së./DrenicaOnline/