Mësimdhënëse dhe vajzë dëshmori, Qendresa Kluna, në garë për Asamblenë e Drenasit nga PDKRLl

Qendresa Kluna ka njoftuar publikisht kandidaturën e saj për Asamblenë Komunale të Drenasit, në listën fituese të kryetarit Ramiz Lladrovci.
Me një mesazh të ngrohtë dhe plot përgjegjësi, Kluna thekson se ftesa për t’u bërë pjesë e ekipit të Lladrovcit është një nder i madh, jo vetëm për të si mësimdhënëse e diplomuar dhe vajzë dëshmori, por edhe si zë i brezit të ri dhe i grave të guximshme të komunës, transmeton portali DrenicaOnline.
“Kjo kandidaturë është zë i familjeve të dëshmorëve që na kanë lënë amanetin e lirisë dhe ndërtimit të shtetit,” shkruan ajo, duke shprehur përkushtimin për t’u angazhuar fuqishëm në shërbim të qytetarëve.
Kluna falënderon kryetarin Lladrovci për besimin dhe përkrahjen dhe u bën thirrje qytetarëve që së bashku të punojnë për një Drenas më të mirë, me vizion dhe besim të ndërsjellë.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë
Me ndjenjën e përgjegjësisë dhe me përulësi të thellë ndaj besimit që më është dhënë, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju njoftoj se jam zyrtarisht kandidate për Asamblenë Komunale, në listen fituese të Kryetarit kampion Ramiz Lladrovci.
Ftesa për t’u bërë pjesë e këtij ekipi nga një lider i dëshmuar si z. Lladrovci, është për mua më shumë se një hap politik – është një nder i madh për figurën time si vajzë dëshmori, si mësimdhënëse e diplomuar, dhe si qytetare që ka zgjedhur të kontribuojë me dinjitet në shërbim të komunës sonë.
Kjo kandidaturë nuk është vetëm përfaqësim personal, por zë i brezit të ri, i vajzave dhe grave të guximshme, i mësimdhënësve që formojnë të ardhmen, dhe i familjeve të dëshmorëve që na kanë lënë amanetin e lirisë dhe ndërtimit të shtetit.
E pranoj këtë sfidë me përkushtim të plotë dhe me dëshirën për të qenë një zë i fuqishëm për nevojat dhe shqetësimet tuaja në Kuvendin Komunal. Do të jem pranë jush, me veshë për të dëgjuar dhe me vullnet për të vepruar.
Faleminderit Kryetarit Ramiz Lladrovci për besimin dhe përkrahjen.
Së bashku për Drenasin tonë – me punë, vizion dhe besim të ndërsjellë!
Me respekt
Qendresa Kluna