Përleshje e dhunshme në Skenderaj, tre anëtarë të familjes Lushtaku përfundojnë në spital – ndalohen dy vëllezër nën dyshimin për “Vrasje në tentativë”

Një përleshje e ashpër fizike ka ndodhur pasditen e së martës në rrugën “Azem Bejta” në Skenderaj, ku si pasojë e dhunës së ushtruar janë lënduar tre anëtarë të familjes Lushtaku, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 05.08.2025 rreth orës 18:00, kur palët janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm që dyshohet se ka pasur motive nga e kaluara, pasi paraprakisht kishin pasur raporte miqësore.
Të dyshuar për këtë rast janë dy vëllezër me mbiemrin Hysenaj, të cilët janë arrestuar nga Policia nën dyshimin për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Viktima të kësaj ngjarjeje janë tre persona me mbiemrin Lushtaku të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, ndërsa njëri prej tyre është transferuar në QKUK – Prishtinë. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet policore dhe ato të hetimeve, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë sigurimin e provave dhe intervistimin e palëve.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
.
.
.