Kryetari i PDK-së në Bazel del hapur në përkrahje të Lladrovcit për Drenasin

Kryetari i nëndegës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Bazel, Xheladin Shaban Shala, ka shpallur publikisht mbështetjen e tij të plotë për Ramiz Lladrovcin në garën për Kryetar të Komunës së Drenasit, transmeton portali DrenicaOnline.

Përmes një njoftimi drejtuar aktivistëve dhe mbështetësve të PDK-së, Shala thekson se ndonëse nuk ka përfituar kurrë personalisht nga angazhimi i tij politik, ai ka qëndruar gjithmonë besnik ndaj PDK-së, duke përkrahur figurat kyçe të saj si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

“Ju bëj thirrje si vëllezër dhe motra, për hir të unitetit dhe të mirës së përgjithshme, ta mbështesim Ramiz Lladrovcin në mandatin e radhës. Ne që jemi lind e rritur në Drenas, e dimë se sa shumë ka punuar Lladrovci për të mirën e komunitetit,” u shpreh Shala.

Ai potencoi se mbështetja për Lladrovcin nuk është vetëm një vendim politik, por një zgjedhje për të ruajtur integritetin e Drenasit nga ndikimet e jashtme.

“Drenasi ka nevojë për një udhëheqës që nuk pranon diktat nga jashtë dhe nuk lejon imponime nga ‘të fortit’ e komunave fqinje. Vendimmarrësi duhet të jetë vetëm qytetari i Drenasit,” shtoi ai.

Xheladin Shala tha se ky vendim është marrë në koordinim të plotë me kryetarin e degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë