Shukri Buja: Punësimi me dinjitet, jo me lidhje partiake!

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka zhvilluar një takim me udhëheqësin e Zyrës së Punësimit në Lipjan, z. Ismet Gashi, ku ka prezantuar vizionin e tij për një qasje të drejtë dhe dinjitoze në fushën e punësimit, transmeton portali DrenicaOnline.
Buja theksoi se në mandatin e tij të ardhshëm, nëse zgjidhet kryetar, punësimi në Komunën e Lipjanit do të bazohet në meritokraci dhe dinjitet, e jo në përkatësi partiake. Ai kujtoi se edhe në të kaluarën, gjatë kohës sa kishte udhëhequr komunën, nuk ishin bërë dallime politike në punësim.
“Praktikantët me pagesë do të përzgjidhen nga lista e pritjes së punëkërkuesve të regjistruar në Zyrën e Punësimit, me përparësi ata që janë të regjistruar më herët. Nuk do të ketë më komisione të brendshme me qëllime partiake që shndërrojnë të rinjtë në militantë,” deklaroi Buja.
Ai shtoi se edhe përfituesit e granteve bujqësore dhe ndihmave të tjera individuale do të përzgjidhen në bashkëpunim me Zyrën e Punësimit, duke ndjekur kritere të drejta dhe të barabarta për të gjithë.
“Do të bashkëpunojmë ngushtë me Zyrën e Punësimit për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe gratë. Synimi ynë është i vetëm: t’i mbajmë të rinjtë në Kosovë. Kosova nuk ka rini për të humbur,” u shpreh Buja./DrenicaOnline/
.
.
.