Ekrem Kastrati rikandidon për kryetar të Malishevës: “Bashkë me qytetarët, edhe për 4 vitet e ardhshme!”

Kryetari aktual i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka konfirmuar se do të rikandidojë për një mandat të ri në zgjedhjet komunale të 12 tetorit. Lajmin e bëri publik përmes një mesazhi në facebook drejtuar qytetarëve, ku theksoi bashkëpunimin e deritashëm dhe nevojën për vazhdimësinë e projekteve zhvillimore në komunë, transmeton portali DrenicaOnline.

“Po rikandidoj sepse kemi ende shumë punë përpara. Kemi ndërtuar bashkë një drejtim të qartë, dhe nuk ka kthim prapa”, u shpreh Kastrati, duke shtuar se vendimi i tij është rezultat i takimeve të vazhdueshme me qytetarët dhe dëgjimit të halleve të tyre.

Ai falënderoi liderin e NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për mbështetjen e palëkundur, si dhe strukturat e partisë për bashkëpunimin e deritashëm.

Kastrati tha se programi i tij i ardhshëm do të jetë i bazuar në projekte konkrete, jo në premtime në letër. Ai theksoi se i njeh mirë sfidat me të cilat përballen qytetarët dhe se tashmë ka zgjidhje të gatshme për shumë prej tyre.

“Sot, Malisheva është më e zhvilluar, më e rregulluar, më e jetueshme. Kemi sjellë transformim të dukshëm në çdo segment – nga urbanizimi e infrastruktura, te arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe rinia”, tha ai, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunëtorët dhe gjithë stafin komunal që kanë kontribuar në këto arritje.

Kastrati nënvizoi se nuk ka qenë “kryetar i zyrës”, por gjithmonë në terren, pranë qytetarëve: “Kam qenë pranë çdo fshati, lagjeje, dhe familjeje që ka pasur nevojë për mbështetje.”

Në fund të fjalës së tij, ai u shpreh me vendosmëri: “Tani është koha ta çojmë punën përpara. Për Malishevën që punon. Për Malishevën që ecën. Për Malishevën që nuk ndalet. Për MALISHEVËN URBANE!”

Ekrem Kastrati kërkon edhe një herë besimin e qytetarëve për ta çuar më tej rrugën e zhvillimit dhe transformimit të Malishevës./DrenicaOnline/

.

.

.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë