Ramiz Lladrovci mbështet protestën kundër padrejtësisë: “Nuk kemi heronj për të humbur!”

Me ftesë të Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Drenas, Shoqërisë “Lëvizja” dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u mbajt një takim konsultativ në mbështetje të “Protestës kundër padrejtësisë”, që pritet të mbahet së shpejti në Prishtinë.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mori pjesë në këtë takim së bashku me përfaqësues të dy shoqatave dhe subjekteve politike lokale, përfshirë z. Naim Bujupi, z. Izet Ibrahimi, z. Beqir Kiqina dhe znj. Egzona Tërdevci. Ndërsa z. Egzon Qorri dhe z. Enver Hajdari nga OVL e UÇK-së, kishin konfirmuar pjesëmarrjen, por munguan në takim.
“Protesta kundër padrejtësisë” synon të mbledhë qytetarë pa dallim bindjesh apo përkatësie politike, për të mbrojtur vlerat e luftës së drejtë të UÇK-së. Lladrovci theksoi se kjo protestë është organizuar nga shoqatat e dala nga lufta, por është obligim moral dhe qytetar që të gjithë ta mbështesin këtë kauzë.
“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare. Vlerat e saj na bashkojnë të gjithëve,” u shpreh ai.
Për të mundësuar pjesëmarrjen sa më të madhe të qytetarëve nga Drenasi, kryetari Lladrovci ka bërë të ditur se ka rezervuar pesë autobusë për transportin drejt Prishtinës. Nëse paraqitet nevoja, do të sigurohen edhe të tjerë.
“Nuk kemi heronj për të humbur,” përfundoi ai me një mesazh të fuqishëm për unitet dhe mbështetje ndaj atyre që mbrojtën lirinë e vendit.
.
.
.