Përleshje e rëndë në Dumnicë të Poshtme, dy të plagosur, njëri me armë zjarri, tjetri me sëpatë

Një përleshje e dhunshme ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Dumnicë e Poshtme të Podujevës, ku tre persona janë përfshirë në një incident të rëndë që dyshohet të jetë tentim vrasje, transmeton portali DrenicaOnline.

Sipas Policisë së Kosovës, për motive ende të panjohura, tre të dyshuar meshkuj kosovarë janë përfshirë në një rrahje të ashpër mes vete. Gjatë përleshjes ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.

Si pasojë e incidentit, njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime trupore nga një mjet i fortë – sëpatë, ndërsa një tjetër është plagosur me armë zjarri. Të dy janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Personi që dyshohet se ka shtënë me armë zjarri është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe është në kërkim nga Policia. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, njësitet policore kanë sekuestruar dy vetura (njëra e dëmtuar), një sëpatë, dy sprej, një shkop metalik dhe tre zinxhirë dore.

Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në rrahje”. Prokurori i shtetit është informuar për rastin dhe hetimet intensive janë në zhvillim./DrenicaOnline/

.

.

.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë