A do i kushtojë PDK-së me humbje të Drenasit gabimi që bëri me Lladrovcin?

Derisa Partia Demokratike e Kosovës (PKD) vendosi të mos ia besojë rikandidimin për kryetar të Drenasit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Ramiz Lladrovci vendosi të befasoi, duke zyrtarizuar partinë e tij të re të quajtur “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”.

E kjo duket se i është kthyer bumerang PDK-së, duke marrë parasyshë përkrahjen e madhe që ka Lladrovci në Drenas dhe mundësimnë e madhe të humbjes së saj kundrejt ish- bashkëpartiakut të tyre, i cili edhe është kryetar aktual i kësaj komune, raporton Arbresh.info.

Pas vendimit për mos rikandidim të Ramiz Lladrovcit për një mandat të tretë si kryetar komune në Drenas, PDK, e cila tash e tetë vjet radhazi udhëheq në këtë komunë po përballet me pakënaqësi të theksuara, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga vetë strukturat e saj lokale.

Lladrovci ka qenë figura udhëheqëse e PDK-së në Drenas për dy mandate dhe gëzon përkrahje të konsiderueshme nga qytetarët.

Në vend të Lladrovcit, PDK votoi Petrit Hajdarin, si kandidat për kryetar të Drenasit nga paria e saj për zgjedhjet lokale 2025.

Kjo sipas analistëve po cilësohet si një vendim i pamenduar mirë dhe me rrezik nga PDK, e cila mund të përballet me pasoja të humbjes së këtij bastioni e saj historik në Drenicë.

Shkodra: Vendimi i PDK-së rrezikon humbjen e bastionit

Njohësja e çështjeve politike në vend, Magbule Shkodra vlerëson se vendimi i PDK-së mund të ketë qenë strategjik, por vështirë se do të ketë efekt pozitiv.

Ajo për Arbresh.info thotë se Ramiz Lladrovci gëzon përkrahje të gjerë qytetare, dhe se zëvendësimi i tij ka shkaktuar përçarje të dukshme brenda partisë.

“Besoj se kryesia e PDK-së e ka vlerësuar vendimin si strategjik, mirëpo nga reagimet që po shohim, shihet qartë se ka përçarje përbrenda partisë. Lladrovci ka një përkrahje të gjithmbarshme nga qytetarët e Drenasit, andaj është vështirë të parashikohet nëse kandidati i ri do të mund të fitojë”, shprehet Shkodra.
Shkodra gjithashtu kritikon mënyrën e vendimmarrjes brenda partisë.

“Është praktikë më e shëndetshme që për komunat të vendosin strukturat lokale, sepse ato e njohin më mirë terrenin. Kryesia në Prishtinë shpesh nuk ka informacion të mjaftueshëm për realitetin nëpër komuna. Në këtë rast, kjo mund t’i kushtojë shumë PDK-së”, thotë Shkodra.

Përkundër insistimit të përsëritur nga Arbresh.info, deputetët e PDK-së kanë refuzuar të komentojnë situatën, duke zgjedhur heshtjen përballë kritikave të qytetarëve dhe përkrahësve të Lladrovcit.

Edhe ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ndonëse nuk është më pjesë e strukturave udhëheqëse të partisë, nuk ka dashur të komentojë drejtpërdrejt për vendimin e kryesisë, por ka shprehur vlerësim për të dy figurat.

“Meqë nuk jam pjesë e Kryesisë, do të thotë as e vendimmarrjes – nuk i kisha dhënë të drejtë vetes të spekuloj me alternativat që ka sjellë partia. Unë kam mendim e vlerësim pozitiv për të dy personalitetet që theksuat”, u shpreh shkurtimisht Berisha.

Zgjedhjet Komunale 2025 do të mbahen më 12 tetor, ndërsa ende nuk janë zyrtarizuar të gjithë kandidatët e partive politike për kryetar të komunave.

Ajo çka dihet është se gara në komunën e Drenasit do jetë më interesantja./Arbresh.info/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë