Dorëheqje e bujshme në diasporë/ Llugani largohet nga PDK në Belgjikë: “E papranueshme mënjanimi i Lladrovcit, partia po përçahet!

Një tjetër goditje për Partinë Demokratike të Kosovës vjen nga diaspora. Fatlum Llugani, ish-kryetar i nëndegës së PDK-së në Roeselare të Belgjikës, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, duke shpërthyer me akuza të rënda ndaj lidershipit aktual të partisë.
Përmes një deklarate publike, Llugani ka shprehur pakënaqësi të thella me drejtimin që ka marrë partia dhe vendimet e fundit, veçanërisht përjashtimin e Ramiz Lladrovcit nga gara për kryetar të Drenasit.
“Nuk mund të jem më pjesë e një partie që udhëhiqet nga njerëz të papjekur politikisht, siç është rasti me çiftin Memli Krasniqi, Vlora Çitaku, Abelard Tahiri dhe Uran Ismajli. Nuk ka logjikë që dikush të përjashtojë kandidimin e z. Ramiz Lladrovci, kur ai është një nga figurat më të suksesshme dhe më të respektuara në atë komunë”, thuhet në deklaratë.
Ai shton se nuk ka asgjë personale ndaj Petrit Hajdarit, por mënyra si po përjashtohet Lladrovci është, sipas tij, e padrejtë dhe e papranueshme.
Një tjetër arsye e dorëheqjes së tij ka të bëjë me mungesën e reagimit të PDK-së për luftëtarët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke e quajtur këtë heshtje “të turpshme”.
“Sot PDK e dëshmoi edhe një herë se është duke e përçarë jo vetëm Drenasin, por edhe gjithë Kosovën. Qytetarët do ta ndëshkojnë këtë sjellje me votë dhe përbuzje,” përfundon Llugani.
Kjo dorëheqje e bujshme nga diaspora pritet të thellojë krizën brenda PDK-së dhe të nxisë debat të madh në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit.