Abelard Tahiri mbron Petrit Hajdarin/ Por kritikohet nga qytetarët, shumica mbështesin Lladrovcin

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili mezi arriti të sigurojë ulëse në Kuvend në zgjedhjet e fundit, ka dalë në mbështetje publike të kandidaturës së Petrit Hajdarit për kryetar të Komunës së Drenasit.

Në një postim në Facebook, Tahiri e lavdëron Hajdarin për përvojën dhe përkushtimin, duke e quajtur atë “një profil që do t’i japë Drenasit hovin e zhvillimit që e meriton”.

“Petrit Hajdari ka më shumë se 20 vite përvojë në administratë, politikë dhe diplomaci. Me këtë përvojë dhe vizion, si Kryetar i ardhshëm i Komunës së Drenasit, do të dijë t’i trajtojë me seriozitet dhe përgjegjësi hallet dhe nevojat e qytetarëve”, ka shkruar Tahiri.

Por, ky postim është pritur me kritika të shumta nga qytetarët, të cilët në komentet e tyre janë rreshtuar gati tërësisht në përkrahje të Ramiz Lladrovcit. Ata e kanë quajtur këtë veprim një përpjekje për të njollosur figurën e një kryetari që, sipas tyre, ka arritur suksese të jashtëzakonshme në Drenas.

Shumë komentues kanë theksuar se është absurde të flitet për “hov zhvillimi” me një kandidat të ri, kur vetë PDK-ja është krenuar vazhdimisht me rezultatet e Ramiz Lladrovcit, i cili është shpallur disa herë kryetar kampion në nivel vendi.

Reagimet në rrjetet sociale pas këtij postimi e konfirmojnë ndarjen e madhe që po ndodh brenda elektoratit të PDK-së në Drenas, ndërsa përkrahja për Lladrovcin duket të jetë më e fuqishme se kurrë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë