Bardhyl Mahmuti i del në mbështetje Ramiz Lladrovcit: “Nuk largohet trajneri i ekipit që fiton kampionatin!”

Njëri nga figurat historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti, i ka dalë në mbështetje publike kryetarit aktual të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pasi ky i fundit nuk u kandidua nga Kryesia e PDK-së për zgjedhjet e 12 tetorit.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Mahmuti ka shprehur hapur pakënaqësinë me vendimin e partisë, duke e cilësuar të padrejtë moskandidimin e një njeriu që, sipas tij, ka sjellë suksese të mëdha në udhëheqje.
“Nuk largohet trajneri i ekipit që fiton kampionatin! Inatet duhet të lihen anash!”, ka shkruar Mahmuti sipër një fotografie të Ramiz Lladrovcit.
Deklarata e tij ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, me qytetarë që po ashtu kanë shprehur përkrahjen për Lladrovcin dhe kanë vënë në pikëpyetje motivet e vendimit të Kryesisë së PDK-së.
Mbështetja e Bardhyl Mahmutit, një prej themeluesve të UÇK-së dhe një zëri me peshë në opinionin publik, konsiderohet si një sinjal i qartë i pakënaqësive që kanë shpërthyer brenda dhe jashtë strukturave të partisë lidhur me këtë vendim.