Lladrovci me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Jahir Prenkut: “Kosova humbi një nga bijtë e saj më të devotshëm”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të atdhetarit Jahir Prenku, duke e cilësuar atë si një ndër bashkëveprimtarët më të përkushtuar për çështjen kombëtare.

“Me dhimbje të madhe e mora lajmin se shoku ynë, bashkëveprimtari e bashkëluftëtari, Baca Jahir, ka kaluar në jetën e amshueshme”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Lladrovci kujtoi me emocion rrugëtimin e përbashkët me Bacën Jahir në mërgatë dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm: nga organizimet e hershme, shpërndarja e literaturës, mbledhja e fondeve, rekrutimi i ushtarëve të UÇK-së, deri te pjesëmarrja në demonstrata dhe lufta çlirimtare.

“Ia njoha emocionet dhe pasionin atdhetar, e deshta si shok me zemër, atëherë kur vetëmohuesit numëroheshin me gishta”, u shpreh ai.

Kryetari kujtoi se Komuna e Drenasit, përmes Asamblesë Komunale, e kishte nderuar Jahir Prenkun me mirënjohje për kontributin e tij jetësor për lirinë e Kosovës.

“Mirënjohja ishte simbolike, por ishte dëshmi për qytetarët atdhetarë të komunës sonë për kontributin e tij atdhetar me dekada për çlirim.”

Në fund, Lladrovci theksoi se Kosova dhe kombi humbën një nga bijtë më të devotshëm dhe u shpreh: “Ngushëllime Familje Prenku, miq, shokë e dashamirë të atdhetarit të madh, Jahir Prenku! Mbahuni të fortë e krenar ndër breza me trashëgiminë e tij atdhetare!”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë