Lladrovci i vendosur: PDK në Drenas nuk do të udhëhiqet nga bedelët – jam gati për garë!

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar fuqishëm ndaj zhvillimeve të fundit brenda Degës së PDK-së në Drenas, ku për herë të parë pritet që kandidati për kryetar komune të përzgjidhet përmes votimit të fshehtë të Kryesisë së partisë.
Ai e konsideron këtë proces si të pashembullt dhe me ndikime të atyre që, sipas tij, kanë dëmtuar PDK-në që nga viti 2021 dhe tashmë po tentojnë të përzgjedhin “bedelin e ri” për një projekt strategjik.
“Pyetja që shtrohet është: a po zgjidhet kryetari i qytetarëve të Drenasit, apo kryetari i pëlqyer i një pjese të Kryesisë së Partisë?”, ka thënë Lladrovci, duke theksuar se sfida aktuale është ndikuar nga individë që kishin krijuar subjekte të reja politike, e më pas janë rikthyer për të minuar proceset e brendshme.
Lladrovci vlerësoi se votimi i fshehtë nuk është për kandidaturën e tij, por për integritetin e anëtarëve të Kryesisë.
“Si themelues i PDK-së dhe kryetar komune i shpallur gjashtë herë kampion për performancë, jam i paarritshëm në qeverisje dhe i përkushtuar ndaj vlerave të partisë”, u shpreh ai.
Ai kërkoi nga Kryesia që të mos bie pre e presioneve dhe të ruajë objektivitetin, duke shtuar se nuk do të lejojë rikthimin e atyre që e goditën partinë me profile të rreme, dëme në projekte e shpifje. “Drenasi me qytetarët e saj do të japin përgjigjen më të fuqishme. Dje, sot, nesër – vetëm PDK! Nuk ka bir nëne që mund të më largojë nga vizioni i heronjve tanë!”, përfundoi Lladrovci.