PDK gati për garën në Drenas/ Javën tjetër zyrtarizohet kandidati, Lladrovci me përkrahje të jashtëzakonshme drejt fitores pa balotazh!

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet që gjatë javës së ardhshme të zyrtarizojë kandidatin për kryetar të Komunës së Drenasit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Të gjitha sinjalet dhe pritjet janë që kandidati i kësaj partie do të jetë sërish Ramiz Lladrovci, kryetari aktual i komunës, i njohur tashmë në gjithë vendin për qeverisje të mirë dhe rezultate konkrete.

Ramiz Lladrovci është një emër i lidhur ngushtë me zhvillimin, transparencën dhe modernizimin e Drenasit.

Ai është shpallur gjashtë herë kampion për qeverisje të mirë në nivel vendi, çka përbën një rekord historik për një udhëheqës lokal në Kosovë.

Kjo e bën atë kandidatin më të besueshëm jo vetëm për strukturat e PDK-së, por edhe për shumicën e qytetarëve të komunës që vazhdimisht kanë votuar për vazhdimësinë e tij.

Edhe pse ende nuk është bërë zyrtarizimi i kandidaturës, Lladrovci ka marrë një përkrahje të jashtëzakonshme nga qytetarët e Drenasit.

Sot, qindra zyrtarë lokalë, aktivistë dhe mbështetës kanë pushtuar rrjetet sociale me fotografi dhe mesazhe të qarta që kërkojnë vazhdimin e qeverisjes së tij. Fjalët kyçe që janë parë më së shumti janë: “Vazhdo”, “Me Lladrovcin deri në fund” dhe “Kampion i së mirës”.

Mbështetësit e tij theksojnë se: “Të jesh gjashtë herë kampion për qeverisje të mirë është diçka e jashtëzakonshme dhe e papërsëritshme në historinë e qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës”.

Për shumë analistë lokalë dhe njohës të zhvillimeve politike në komunë, është e qartë se PDK me Ramiz Lladrovcin në krye është më e fortë se kurrë më parë. Ka gjithnjë e më shumë zëra që thonë se fitorja e PDK-së në Drenas këtë herë mund të ndodhë pa balotazh, duke e mbyllur garën që në raundin e parë. Në mesin e qytetarëve po vërehet një unitet i rrallë politik dhe qytetar që, sipas tyre, është pasojë e punës së ndershme dhe rezultateve të prekshme që janë arritur në këtë mandat.

PDK në Drenas është gati për fitoren historike.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë