Digjet pjesërisht një shtëpi në Skenderaj – dyshohet se zjarrin e vuri djali i pronarëve pas një konflikti familjar

Një rast i zjarrvënies së qëllimshme është raportuar mbrëmjen e së hënës në fshatin Tushilë të Skenderajt, ku një shtëpi është përfshirë nga flakët, ndërsa dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një anëtar i familjes.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 21 korrik 2025, në orët mes 21:30 – 22:00, Policia dhe njësia e zjarrfikësve janë njoftuar se një shtëpi në fshatin Tushilë ishte përfshirë nga zjarri.
Zjarri është lokalizuar dhe është evituar djegia e plotë e shtëpisë, por si pasojë janë dëmtuar tërësisht salloni dhe një pjesë e kulmit. Në momentin kur ka shpërthyer zjarri, në shtëpi nuk kishte asnjë banor.
Pasi flakët janë shuar, në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe ankuesja Z.H. – pronare e shtëpisë, e cila ka deklaruar se dyshon se autori i zjarrvënies është djali i saj J.H., për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare.
I dyshuari nuk është takuar ende nga Policia dhe nuk është intervistuar. Hetuesit kanë njoftuar Prokurorin kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet për veprën penale “Zjarrvënie”, ndërsa hetimet janë në vijim.
Vlera e dëmit material aktualisht nuk dihet.