Kurti: Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për arritjen ose jo të një marrëveshjeje për institucionet

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, të hënën gjatë një konference për media, nuk pranoi të jap detaje nëse i ka ofruar pozitën e kryeparlamentarit kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt.
I pyetur nga gazetarët, Kurti tha se nuk mund të tregoj për një gjë të tillë sepse oferta akoma nuk është konkretizuar me marrëveshje. Megjithatë, deklaroi se i ka bërë një ofertë konkrete këtij subjekti politik dhe se Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur interesim e gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën.
“Me Limajn kemi zhvilluar një takim pardje. LVV-ja dhe unë kemi shprehur interesimin dhe gadishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e mirë, ta kemi konstitutim të Kuvendit dhe Qeverinë”, tha Kurti gjatë konferencës për media në Qeverinë e Kosovës.
Kurti ka shtuar se deri në fund të javës do të bëhet e ditur nëse ka marrëveshje me këtë parti, ose jo.
“Në këtë fundjavë ose do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose do ta kemi lajmin për mungesën e saj”, është shprehur Kurti.
Paraditen e së hënës, Kuvendi i Kosovës, mbajti seancën e 50-të, por sërish dështoi të konstituohet.
Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryekuvendarit.
Kush sa vota i ka?
Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.
Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.
Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.
Deri më tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre.