“Mos u mashtroni nga profilet e rreme”/ Lladrovci reagon ndaj faqeve anonime në rrjetet sociale: Nuk ka bir nane që më largon nga PDK!

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj përhapjes së lajmeve dhe profileve të rreme që po shfaqen në rrjetet sociale në prag të zgjedhjeve lokale.
Përmes një postimi publik, Lladrovci ka paralajmëruar qytetarët që të mos bien pre e faqeve anonime e dezinformuese, duke theksuar se të njëjtat metoda janë përdorur edhe në zgjedhjet e kaluara.
“Profilet e rreme kanë filluar punën, po rizgjohen. Në zgjedhjet e kaluara, keqbërësit i kishin së paku 18 profile të rreme, ndërsa për këto zgjedhje kanë arritur të bëhen po ashtu 18 profile/portale”, deklaron kryetari i Drenasit.
Ai shton se qëllimi i këtyre sulmeve është të krijohet mjegull rreth kandidaturës së tij dhe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Asgjë e re nga metodat e zgjedhjeve të kaluara – mjegull ndaj kandidaturës time, mjegull ndaj PDK-së.”
Lladrovci, i njohur për deklaratat e tij të drejtpërdrejta, ka ironizuar edhe përpjekjet për t’i shpikur “emra të rinj” nismave të ndryshme që përpiqen të përçajnë elektoratin.
“Megjithëse jemi kampion, bedelat e paskan shpikur emrin duke prodhuar shkurtesën PDK. Iniciativat qytetare janë të lira dhe nuk marrin leje nga unë.”
Ai ka ritheksuar besnikërinë e tij ndaj PDK-së dhe unitetin brenda kësaj force politike në Drenas:
“PDK, dje, sot, nesër, pikë. Uniteti në degën e PDK-së në Drenas është më i fortë se kurrë. Nuk ka bir nane që më largon nga PDK!”
Kjo deklaratë e Lladrovcit vjen në një moment kur në rrjetet sociale janë shtuar faqet dhe portalet me emra të paidentifikueshëm, që synojnë të ndikojnë në opinionin publik përmes shpifjeve dhe lajmeve të pavërteta.