U tha se Qeveria ua bllokoi xhirollogaritë, deklarohet Ramiz Lladrovci

Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka reaguar ndaj bllokimit të xhirollogarive bankare të disa komunave, përfshirë Lipjanin, Ferizajn, Vushtrrinë e Drenasin që ka ndodhur sot më 15 korrik 2025.

Ky vendim i Qeverisë, sipas tyre, po paralizon funksionimin normal të institucioneve komunale dhe po rrezikon seriozisht ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët.

Sipas AKK-së, këto bllokime burojnë nga përmbarime që lidhen me detyrime të shkaktuara nga vendime të nivelit qendror, siç janë kontratat kolektive, për të cilat komunat nuk kanë asnjë përgjegjësi direkte.

Ata thonë se mungesa e një zgjidhjeje të qëndrueshme ligjore dhe financiare nga qeveria po dëmton rëndë pushtetin lokal dhe po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Pas këtyre raportimeve për bllokimin e xhirollogarive të disa komunave, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka folur për FrontOnline, duke thënë se kjo situatë nuk është shkaktuar nga ndonjë vendim i Qeverisë apo ndonjë organ ekzekutiv, por është rezultat i zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore.

“Nuk bëhet fjalë për një “bllokim” në kuptimin e kufizimit nga Qeveria apo ndonjë organ tjetër ekzekutiv, por për zbatim të drejtpërdrejtë të vendimeve gjyqësore apo përmbarimore, të cilat Thesari është i detyruar t’i ekzekutojë në përputhje me nenin 39 dhe nenin 61 të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive, si dhe aktet nënligjore përkatëse të Ministrisë së Financave” , tha ai.

Lladrovci, ka bërë të ditur se situata e krijuar me bllokimin e xhirollogarive ndikon përkohësisht në qasjen e komunës për të ekzekutuar shpenzimet buxhetore. Ai tha se kjo shkakton vonesa në pagesat ndaj operatorëve ekonomikë dhe përmbushjen e detyrimeve të tjera komunale.

“Kjo situatë, edhe pse e përkohshme, ndikon përkohësisht në qasjen tonë për ekzekutimin e shpenzimeve buxhetore, përfshirë pagesat ndaj operatorëve ekonomikë dhe obligimeve të tjera komunale, deri në përmbushjen e vendimeve të cilat kanë kaluar në formë të prerë dhe janë të ekzekutueshme nga ana e Thesarit”, tha Lladrovci.

Ai shtoi se komuna po ndërmerr të gjitha veprimet ligjore dhe administrative për ta trajtuar situatën me bllokimin e llogarive.

“Komuna jonë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet administrative dhe ligjore për të adresuar këtë çështje, duke përfshirë edhe kontestimin e procedurave përmbarimore, në rastet kur ka bazë ligjore për këtë”, shtoi ai.

Lladrovci, ka bërë të ditur shumën që është ekzekutuar përmes Thesarit për vendime gjyqësore dhe përmbarimore, nga janari i këtij viti deri më sot.

“Në rastin e Komunës së Drenasit: Nga janari i këtij viti deri më sot, janë ekzekutuar përmes Thesarit vendime gjyqësore dhe përmbarimore në vlerë prej 1,066,364.00 euro. Aktualisht janë në proces të ekzekutimit edhe 1,772,054.00 euro, që presin për t’u zbatuar nga Thesari. Gjithësej: 2,838,428.00 Euro”, tha ai për FrontOnline.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë