Krasniqi pasi Specialja rrëzoi mocionin e ish-krerëve të UÇK-së: Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta s’do të ndryshojë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se Gjykata Speciale sot humbi një mundësi për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare.

Gjykata Speciale në Hagë vendosi ta rrëzojë mocionin e përbashkët të avokatëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’i hequr nga aktakuza disa pjesë, përfshirë incidente që sipas mbrojtjes binin jashtë periudhës së konfliktit të armatosur.

“Sot, Gjykata Speciale në Hagë refuzoi mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit Kadri Veseli, ish-Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimit. Edhe ky vendim, për fat të keq, përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet mbi të cilat ajo duhet të qëndrojë: objektiviteti, paanshmëria dhe e vërteta”, shkruan Krasniqi në një postim në Facebook.

“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, shtoi ai.

Krasniqi tha se “historia nuk guxon dhe nuk mund të shkruhet në sallat e heshtura të gjykatave, sepse është shkruar në sakrificat e popullit tonë për liri”.

“Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre. Krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme – përjetësisht! Dielli do të lind përsëri – për çlirimtarët, për Kosovën dhe për të vërtetën”, shkroi ai.

.

.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë