Ndërprerje e rrymës edhe sot/ Dalja e Llapushnikut sërish pa energji, banorët të revoltuar

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të shtunën, më 12 korrik 2025, do të realizohen punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit energjetik. Si pasojë, në disa zona do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 09:00 deri në 17:00 pa energji do të mbesë Dalja 10kV Llapushnik, që përfshin fshatrat: Llapushnik, Arllat, Negroc, Tërpezë, Berishë, Novosell dhe Kleçkë.
Punimet, sipas KEDS-it, lidhen me energjizimin e rrjetit të ri dhe demontimin e atij të vjetër në projektin Arllat – Mahalla e Xhamisë, si dhe me vendosjen e konzollave, izolatorëve dhe përçuesve të rinj në linjën e re.
Megjithatë, banorët e kësaj zone janë të mllefosur. Ata thonë se Dalja e Llapushnikut është përballur me ndërprerje të njëpasnjëshme për vite të tëra dhe situata është bërë e padurueshme.
“Nuk e dimë edhe sa vite apo dekada do të vazhdojë kjo gjendje. Është e tepërt dhe e papranueshme që mijëra familje të mbesin pa rrymë për kaq gjatë. Kemi fëmijë, kemi të sëmurë, kemi biznese që dëmtohen”, shprehen qytetarët e revoltuar përmes rrjeteve sociale dhe kontaktit me redaksinë.
Ata kërkojnë nga KEDS dhe institucionet përgjegjëse të japin zgjidhje të qëndrueshme për këtë dalje problematike, duke paralajmëruar edhe protesta nëse kjo gjendje vazhdon.