“Sistemi më fshiu si djalë dëshmori” – Reagimi i fortë i Bledi Bytyçit, birit të heroit Sylejman Bytyqi nga Arllati

Bledi Bytyçi, djali i dëshmorit të Republikës së Kosovës, Sylejman Bytyqi, ka bërë një reagim publik prekës dhe të fuqishëm përmes një postimi emocional, pasi i është ndalur pensioni që e përfitonte si fëmijë i dëshmorit, transmeton portali DrenicaOnline.

Sipas tij, që nga data 10 mars, kur mbushi 26 vjet, shteti e ka larguar nga skema me arsyetimin absurd se “sistemi nuk e njeh më si djalë dëshmori”.

“Me falni, por unë jam bërë zot i vetes kur babai im vdiq. Jeta më rriti para kohe jo sepse desha, por sepse fati ishte i tillë. Ai u flijua për lirinë e këtij vendi në moshën 26-vjeçare, ndërsa kur unë mbusha 26, shteti më mohoi”, shkruan Bledi.

Në reagimin e tij ai ngre pyetje të dhimbshme dhe ironike për institucionet:
“Nëse sistemi nuk më njeh më si djalë të dëshmorit, atëherë çka jam unë? A duhet të shkoj ta heq edhe nga varrezat e dëshmorëve në Kleçkë?”

Ai thekson se babai i tij nuk dha jetën për një periudhë të caktuar, por për përjetësi – dhe se harresa, përjashtimi dhe mungesa e mirënjohjes institucionale janë një fyerje ndaj sakrificës.

Ndërkohë që, siç thotë ai, “vidhen miliona çdo ditë”, shteti vendos të “fshijë automatikisht” nga lista një fëmijë dëshmori që kërkon vetëm dinjitet dhe respekt.

“Unë nuk kam qenë vetëm 26 vite djali i një dëshmori. Unë do të jem djali i tij përjetë. As sistemi, as padrejtësia nuk do ta ndryshojnë këtë,” përfundon reagimin e tij Bledi Bytyçi.

Ai përmbyll me një mesazh të fuqishëm:
“Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë. Mos harroni: pas çdo emri në një lapidar, është një familje që ende mban plagë të hapura.”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë