Aksident tragjik në Qafën e Duhlës – humb jetën një grua, burri mbetet i lënduar

Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në magjistralen Suharekë – Shtime, në afërsi të Qafës së Duhlës.

Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 06:57, ku një çift nga Maqedonia e Veriut, që po udhëtonte me motoçikletë nga qyteti i Shtimës në drejtim të Suharekës, është përfshirë në një aksident të rëndë.

Sipas informacioneve fillestare, aksidenti ndodhi kur një qen endacak i ka dalë në rrugë motoçikletës, me ç’rast drejtuesi ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar. Si pasojë e përplasjes, pasagjerja D.M. (e lindur më 1985) ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa drejtuesi i motoçikletës A.S. (i lindur më 1979) ka mbetur i lënduar dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi emergjent, ku mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës në vend. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, me vendim të prokurorit të shtetit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar, ndërsa Policia ka njoftuar se rruga është aktualisht e hapur për qarkullim.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë