Akt i madh pajtimi në Jashanicë: Familjet Bullaku dhe Hoti falin gjakun pas angazhimit të përbashkët

Kandidati për kryetar të Klinës nga radhët e PDK-së, Sokol Bashota, ka bërë të ditur sot një lajm të jashtëzakonshëm, duke e cilësuar si shembull të mençurisë, guximit dhe vullnetit për pajtim, transmeton portali DrenicaOnline.

Pas një angazhimi të përbashkët me Kajë Halitin dhe Esat Rracin, është arritur pajtimi mes familjes Bullaku dhe familjes Hoti nga fshati Jashanicë. Ky moment solemn i faljes së gjakut është konsideruar një akt fisnik që tregon fuqinë e paqes dhe unitetit, edhe pas dhimbjes e sfidave të mëdha.

“Zgjatja e dorës së pajtimit nga familja Bullaku ndaj familjes Hoti është shembull që meriton të vlerësohet dhe të ndjeket nga të gjithë”, ka deklaruar Bashota.

Ai ka falënderuar nga zemra të dy familjet për maturinë, përgjegjësinë dhe respektin e ndërsjellë, duke shprehur mirënjohje të veçantë edhe për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces të rëndësishëm.

Ky akt pajtimi vjen si dëshmi se trashëgimia shqiptare e faljes dhe e bashkimit është ende e gjallë dhe ka vend në shoqërinë tonë moderne./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë