Thirrje për bashkim, jo përçarje, Labinot Halilaj mbështet Lladrovcin

Asamblisti i PDK-së në Drenas, Labinot Halilaj, ka dalë me një qëndrim publik në lidhje me zhvillimet brenda degës së PDK-së dhe procesin zgjedhor për kandidatin për kryetar të komunës. Ai thotë se numri i të interesuarve për të garuar nuk duhet parë si problem, por si vlerë e brendshme e Partisë Demokratike të Kosovës, trasnmeton portali DrenicaOnline.

Halilaj thotë se kandidaturat janë të mirëseardhura, por thekson se nuk ekziston asnjë arsye reale për ndryshim, duke shtuar se thirrja e kryetarit Ramiz Lladrovci për unitet ka qenë një reflektim i rëndësishëm.

“Besoj se tani është koha për reflektim nga të tjerët, për të bërë thirrje për unitet rreth një kandidati të përbashkët siç është z. Lladrovci,” ka theksuar ai.

Halilaj i ka bërë thirrje edhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, që të marrë një rol më aktiv: “Z. Krasniqi nuk duhet të qëndrojë as edhe një sekond në karrigen e kryetarit, por ta rrëmbejë fuqishëm rolin e liderit. PDK-së i duhet një vizion që ndal të keqen më të madhe që po i ndodh vendit – Albin Kurtin.”

Ai ka paralajmëruar se zgjedhjet parlamentare janë të pashmangshme dhe se është koha për organizim dhe mobilizim të plotë, duke theksuar se përçarjet duhet të lihen pas.

Në fund, Halilaj kujtoi edhe raportin e tij të kaluar me kryetarin Lladrovci, duke theksuar se pavarësisht përplasjeve, ata i kanë tejkaluar për të mirën e qytetarëve dhe të partisë:
“Bashkë e kemi nisur, e bashkë do të vazhdojmë!”/DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë