Prof. Hamit Haxhiu: PDK-ja duhet t’ia besojë mandatin Ramiz Lladrovcit në Drenas

Asamblisti i Kuvendit Komunal në Drenas, profesori Hamit Haxhiu, ka bërë një thirrje publike drejtuar qendrës së PDK-së që ta konfirmojë Ramiz Lladrovcin si kandidat për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Sipas tij, Lladrovci është figura më përfaqësuese, më e përgatitur dhe më e denjë për të vazhduar udhëheqjen e komunës.

“Drenasi nuk është thjesht një komunë. Është zemra e qëndresës, baza e vlerave që i dhanë kuptim sakrificës për liri. Dhe nuk është rastësi që kjo komunë ka qenë gjithmonë bastion i pathyeshëm i PDK-së”, thekson Haxhiu.

Ai vlerëson se në kohë sfiduese, vendi ka nevojë për liderë me veprim, jo vetëm me fjalë, dhe se Ramiz Lladrovci ka dëshmuar me vite se është i tillë.

“Me përvojën e tij dhe qasjen e sinqertë, Lladrovci ka ruajtur Drenasin si bastion të PDK-së edhe në kohët më të vështira për partinë,” shton profesori.

Sipas tij, vendosja e emrave të tjerë si eksperimente politike në Drenas do të ishte gabim strategjik.

“Drenasi nuk është vendi për eksperimente. Është vendi ku duhet të shpërblehet besnikëria dhe të ruhet identiteti politik i ndërtuar me sakrificë,” deklaron Haxhiu.

Ai përfundon me një thirrje të qartë për udhëheqjen qendrore të partisë: “Ramiz Lladrovci nuk është vetëm kandidati më i mirë – ai është njeriu i duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë