Finalja e madhe në turnirin “Heroi i Kombit Abedin Bujupi”: Përballen dy ekipe nga Arllati

Turniri gjigant “Heroi i Kombit Abedin Bujupi”, i cili po zhvillohet prej disa ditësh me pjesëmarrjen e mbi 100 ekipeve nga të gjitha trojet shqiptare, ka arritur kulmin e tij me finalen e madhe, transmeton portali DrenicaOnline.
Dy ekipet që do të përballen për trofeun prestigjioz janë ASGK-ARI dhe Fadil Bujupi – të dyja nga fshati Arllat i Drenasit, një vend i njohur për dashurinë dhe kontributin në sport, veçanërisht në futboll.
Ekipi ASGK-ARI është formuar nga Sabit Bujupi, i cili jeton dhe punon në Gjermani, por për këtë turne ka ardhur enkas për të përfaqësuar me krenari fshatin e tij. Emrin e ekipit e ka lidhur me biznesin e tij në diasporë, duke e kthyer këtë përballje edhe në një histori suksesi e atdhedashurie.
Nga ana tjetër, ekipi “Fadil Bujupi” është formuar nga familjarët dhe të afërmit e ish-policit të ndjerë, Fadil Bujupi, i cili u nda nga jeta disa vite më parë. Me këtë nismë, ata kanë nderuar emrin dhe kontributin e tij të shquar në shërbim të vendit.
Finalja pritet të jetë emocionuese dhe me interes të madh, jo vetëm për komunitetin e Arllatit, por për të gjithë sportdashësit që kanë ndjekur nga afër këtë turne të jashtëzakonshëm, ku përmes sportit po nderohet historia dhe sakrifica./DrenicaOnline/
.
.