Gjykata Speciale në Hagë hedh poshtë kërkesën e Mbrojtjes në rastin e ish krerëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar kërkesën e përbashkët të ekipit mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kërkesa kishte të bënte me apelimin e një vendimi të mëparshëm, ku Trupi Gjykues kishte pranuar si prova dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, në një konferencë për media, theksoi se gjykata kishte shqyrtuar me kujdes autenticitetin prima facie të secilit dokument, duke u mbështetur në elemente si nënshkrimet, vulat dhe rrethanat e sekuestrimit të disa prej tyre nga zotëri Jakup Krasniqi.
Në lidhje me kundërshtimin e Mbrojtjes për dorëzimin e vonshëm të këtyre dokumenteve nga Prokuroria, gjykata theksoi se që në fillim të procesit, përmes listës së provave të dorëzuara, Mbrojtja ishte në dijeni të synimit të Prokurorisë për t’i përdorur ato si prova./Sinjali/
.
.