Adnan Thaqi pas aktgjykimit të Kushtetueses: Vetëvendosje nuk mund t’i shndërrojë institucionet në mjet presioni

Ish-kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Adnan Thaqi, i cili në zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit mori mbi 16 mijë vota, ka reaguar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që urdhëron konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit brenda 30 ditësh, transmeton portali DrenicaOnline.
Thaqi e ka cilësuar këtë vendim si një “thirrje të qartë për rikthimin e rendit kushtetues”, duke theksuar se Gjykata i dha fund një praktike të rrezikshme ku procedurat parlamentare shndërrohen në instrument shantazhi politik.
“Deputetët nuk janë të thirrur për të ruajtur interesin e një partie të vetme, por për të garantuar funksionimin e Kuvendit si organ përfaqësues i sovranit. Interpretimi i Gjykatës është i qartë: nuk mund të ndërtosh demokracinë duke shkelur mekanizmat e saj bazë”, ka thënë Thaqi.
Ai ka theksuar se vendimi i Kushtetueses nuk është simbolik, por detyrim institucional që kërkon kompromis për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe mbajtjen funksionale të institucioneve demokratike.
“Ky është një ultimatum demokratik – Vetëvendosje nuk mund t’i shndërrojë institucionet në mjet presioni,” ka shtuar ai, duke akuzuar këtë subjekt se ka tentuar të ngulfatë pluralizmin dhe të zgjatë krizën në mënyrë të qëllimshme.
Duke cituar Winston Churchillin, Thaqi përfundon: “Parlamenti nuk është për të ndërtuar një despotizëm të shumicës, por për të ruajtur lirinë e të gjithë popullit.” Sipas tij, Vetëvendosja po cenon këtë liri duke e kthyer Kuvendin në një tribunal politik e jo në një forum të vërtetë parlamentar.
Thaqi e sheh vendimin e Gjykatës si një mesazh të prerë: demokracia funksionon vetëm kur respektohen rregullat e përbashkëta dhe rendi kushtetues./DrenicaOnline/