Shala: Drenasi, shembull i suksesit lokal

Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, ka reaguar pas zërave që kanë nisur të qarkullojnë në opinion për kandidatura të reja nga PDK-ja për zgjedhjet lokale të ardhshme, duke i quajtur ato si shkak të një dëshpërimi në administratën profesionale komunale.
“Zërat e kandidaturave për mandatin e ardhshëm nga PDK po shkaktojnë dëshpërim te administrata profesionale jo partiake e Drenasit, e cila gjendet përballë një sfide të padrejtë ndaj përkushtimit dhe suksesit të saj. Përkundër rezultateve të jashtëzakonshme, nuk po shohim vlerësimin e duhur nga Selia e PDK-së”, u shpreh Shala.
Ai theksoi se qeverisja lokale e udhëhequr nga kryetari Ramiz Lladrovci, ka dëshmuar angazhim dhe përmbushje të premtimeve më shumë se çdo komunë tjetër në vend, ndërsa administrata komunale është ngritur mbi vlera dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të qytetarëve.
“Ky potencial nuk pritet të bie pre e zhgënjimeve apo lëvizjeve politike parazgjedhore. Ai qëndron i palëkundur mbi themelet e suksesit dhe performancës që ka sjellë vlerësime të shkëlqyera për gjashtë herë radhazi në nivel vendi”, përfundoi Shala, duke shtuar se “Vazhdojmë me suksese!”.