Kushtetuesja merr vendimin për konstituimin e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka urdhëruar që Kuvendi të përmbushë detyrimin kushtetues për konstituimin brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit.
Gjykata theksoi se bllokimi i konstituimit të Kuvendit bie ndesh me frymën kushtetuese dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të bashkëpunojnë në mirëbesim për të mundësuar funksionimin e Kuvendit.
Në publikimin e aktgjykimit për kërkesën e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës për çështjen e kalimit të votimit për kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në të mbyllur, Kushtetuesja ka konstatuar po ashtu që seanca e nisur më 15 prill e vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.
Njoftimi i plotë i Gjykatës
Njoftim për publikimin e aktgjykimit KO124/25
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzim të formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të gjitha vendimet tjera që kanë natyrë të njëjtë me te të marra në seancat paraprake dhe të mëpastajme për të njëjtën çështje, i përmbajtur në dokumentin e titulluar “transkript i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, 1, 3 dhe 5 maj 2025”, të parashtruar nga Time Kadrijaj dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata ka vendosur njëzëri:
Të deklarojë kërkesën të pranueshme;Të konstatojë që:Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dheDeputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
III. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
T’ua kumtojë këtë Aktgjykim palëve;Ta publikojë këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.
Aktgjykimi fillimisht sqaron se, objekt i kërkesës së parashtruar janë “seancat” e zhvilluara për konstituimin e Kuvendit, të reflektuara në dokumentin e titulluar “transkript i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, 1, 3 dhe 5 maj 2025” , për të cilat parashtruesit e kërkesës pretendojnë se janë në kundërshtim me nenet: 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 7 [Vlerat], 63 [Parimet e Përgjithshme], 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], 70 [Mandati i Deputetëve], 72 [Papajtueshmëria], dhe 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës. Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata të vendosë masë të përkohshme lidhur me aktin e kontestuar.
Në kuptim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata vlerësoi se kërkesa është parashtruar nga palë të autorizuara. Gjykata gjithashtu vlerësoi se, kërkesa e tanishme dallon nga rrethanat e rasteve të tjera të vendosura nga Gjykata, në kuptim të juridiksionit të saj bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, për shkak se në rrethanat e kërkesave të tjera, aktet e kontestuara nga parashtruesit e kërkesës ishin nxjerrë nga organet e Kuvendit apo nga vetë Kuvendi, vendimmarrja e të cilave buronte nga një Kuvend i konstituuar dhe funksional në kuptimin e autorizimeve vendimmarrëse, mbikëqyrëse dhe ligjvënëse të përcaktuara me Kushtetutë. Në lidhje me këtë, Aktgjykimi sqaron se Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, në kuptim të paragrafëve 1 dhe 3 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës nuk mund të konsiderohet e realizuar përderisa nuk ka rezultuar në zgjedhjen e Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij. Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se Seanca Konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues dhe si i tillë realizohet vetëm pas përmbushjes së të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit, sipas paragrafit 2 të nenit 67 dhe nënkryetarëve sipas paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës.
Gjykata, në kontekst të rrethanave të rastit konkret dhe duke konsideruar se “seancat” e lartcekura kishin për qëllim konstituimin e Kuvendit, ku si pika të rendit të ditës në agjendë ishin (i) formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve të Deputetëve; (ii) dhënia e betimit të deputetëve; (iii) zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit; dhe (iv) zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, vlerësoi se të njëjtat përbëjnë çështje kushtetuese të cilat duhet t’i nënshtrohen vlerësimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66, paragrafëve 2, 3 dhe 4 të nenit 67 dhe nenit 70 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi që kërkesa e parashtruesve të kërkesës është e pranueshme për shqyrtim.
Gjykata vlerësoi se, marrë për bazë pretendimet e parashtruesve të kërkesës, si dhe argumentet dhe kundër argumentet e palëve të interesuara, çështje kushtetuese dhe objekt i vlerësimit të kësaj kërkesë përbën Seanca për konstituimin e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, e cila nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Në këtë kuptim, Gjykata vijoi me vlerësimin e përcaktimeve kushtetuese që ndërlidhen me konstituimin e Kuvendit dhe afatin për konstituimin e tij, për të vazhduar me vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës që ndërlidhen me ndryshimin e rendit të ditës së Seancës Konstituive dhe propozimin e Kryesuesit për themelim të Komisionit për Votim të Fshehtë.
Përkitazi me konstituimin e Kuvendit, Gjykata konstatoi që Seanca Konstituive e filluar më 15 prill 2025, si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka përfunduar. Si rrjedhojë, Gjykata vlerësoi që Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit të Kuvendit.
Aktgjykimi sqaron se struktura e normave kushtetuese, dhe posaçërisht ajo që ndërlidhet me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohet në atë mënyrë që të jetësojë dhe jo të bllokojë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre. Kësisoj, të gjitha veprimet që ndërmerren nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj, dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin, duke mundësuar që ai të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar.
Aktgjykimi tutje sqaron që, Gjykata vlerësimin e saj e mbështeti në atë se: (i) mandati i deputetit dhe mandati i Kuvendit janë të ndërlidhura, pasi që deputetët përfaqësojnë sovranin, por ky përfaqësim nuk mund të jetësohet në aspekt institucional pa konstituimin e Kuvendit; (ii) zgjedhja e Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe kjo kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që ky i fundit të fillojë sa më shpejtë të funksionojë si organ ligjvënës, vendimmarrës dhe mbikëqyrës; (iii) e drejta për të propozuar Kryetarin/en e Kuvendit, e rezervuar për grupin më të madh parlamentar, është vendosur përmes Aktgjykimit në rastin KO119/14; (iv) propozimi i kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, dhe si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm. Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe se detyrimi për bashkëpunim konstruktiv në mirëbesim, që buron nga vetë neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetareve] i Kushtetutës, njëkohësisht ndërlidhet ngushtë edhe me detyrimin e përcaktuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, sipas të cilit, deputetët e Kuvendit ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit; (v) një detyrim i tillë vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilat në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, të cilët bazuar në paragrafët 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetareve] të Kushtetutës po ashtu zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve; dhe (vi) është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët të Kuvendit, në pajtim me dispozitat e Kushtetutës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjykata përfundimisht ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67, si dhe nenet 70 dhe 74 të Kushtetutës, në pajtim me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit, si dhe në përputhje me konstatimet e dhëna në këtë Aktgjykim, janë të obliguar që, dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij.