Betim Gjoshi: VV-Guxo-Alternativa janë përgjegjës për bllokimin e Kuvendit – Gjykata Kushtetuese i demaskon shkeljet

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin institucional në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, janë bërë të qarta dhe të padiskutueshme dy çështje thelbësore:
“Së pari, se bllokuesi i procesit të konstituimit të Kuvendit është pikërisht grupi më i madh parlamentar – koalicioni VV-Guxo-Alternativa. Duke qenë shumicë numerike, ata mbajnë përgjegjësinë kryesore për mosfunksionalizimin e Kuvendit dhe zvarritjen e procesit demokratik”, deklaroi Gjoshi.
Po ashtu, ai theksoi se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar qartë se krijimi i një komisioni gjatë seancës konstituive ka qenë jokushtetues dhe joprocedural.
“Një veprim i tillë, i ndërmarrë pa bazë ligjore dhe jashtë çdo norme parlamentare, përbën shkelje të rëndë të procedurës dhe ka ndikuar direkt në thellimin e krizës institucionale.”
Gjoshi e cilëson vendimin si një thirrje për përgjegjësi politike dhe respektim të rendit kushtetues.
“Demokracia nuk funksionon me improvizime, por me rregulla. Dhe Gjykata Kushtetuese i ka rikujtuar të gjithëve se këto rregulla nuk janë opsionale – por të detyrueshme. Siç janë edhe vendimet e Kushtetueses,” përfundoi ai.