Ish drejtori i KEK-ut, Njazi Thaçi: Qeveria po promovon një projekt të nisur vite më parë

Ish-drejtori i KEK-ut, Njazi Thaçi, ka reaguar pas vizitës së Kryeministrit në dorëheqje, Albin Kurti, dhe Ministres së Ekonomisë në dorëheqje, Artane Rizvanolli, në Termocentralin Kosova B, ku u prezantua fillimi i punimeve për modernizimin e njësisë B2.
Thaçi rikujton se projekti për modernizimin e Termocentralit Kosova B ka filluar që në vitin 2017, me përfundimin e studimit të fizibilitetit të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të realizuar nga një kompani evropiane. Sipas tij, ky studim ka identifikuar në detaje masat teknike, ambientale dhe fazat e zbatimit të rehabilitimit të njësive B1 dhe B2.
“Zbatimi real i projektit ka nisur në vitin 2019, me investime konkrete si ndërrimi i këmbyesve të nxehtësisë, modernizimi i sistemit të mullinjve dhe instalimi i pajisjeve të reja për pastrimin e blozës në gypat e kaldajave,” thekson Thaçi.
Megjithatë, ai paralajmëron se këto investime do të dështojnë të japin efektin e plotë pa ndërhyrje të menjëhershme në sektorin minerar. Ai rikujton një studim të kompanisë gjermane MIBRAG, që rekomandon hapjen e një miniere të re si parakusht për furnizim të qëndrueshëm me thëngjill për Kosova B.
“Pa këtë komponent kyç, rrezikohet që edhe investimet më të avancuara në termocentral të mbesin të pamjaftueshme dhe jetëgjatësia e planifikuar të mos realizohet,” theksoi ai.
Deklarata e Thaçit vjen pas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, ku thuhej se rehabilitimi i njësisë B2 pritet të sjellë rritje të prodhimit me mbi 600 GWh në vit, ulje të ndotjes deri në 60% dhe zgjatje të jetës së termocentralit për 20 vjet./IndeksOnline/