Çmimet e naftës bien në tregjet botërore pas armëpushimit Izrael-Iran, por kjo nuk po reflektohet në Kosovë

Me të nisur konflikti mes Izraelit dhe Iranit, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm edhe në Kosovë, me karburantet që në disa pika arritën çmime rekorde. Mirëpo, pas arritjes së një armëpushimi mes dy vendeve, tregjet ndërkombëtare kanë reaguar me rënie të menjëhershme të çmimeve – një zhvillim që ende nuk është ndjerë sa duhet në vendin tonë.

Në tregun ndërkombëtar, çmimi i naftës Brent ka rënë nga afër 81 dollarë për fuçi në rreth 67 dollarë – një ulje prej më shumë se 15% në pak ditë. Vetëm mëngjesin e 24 qershorit, Brent pësoi një rënie prej 5–6%, duke u stabilizuar në nivelin 66–69 \$/fuçi, ndërsa WTI ra në 64–68 \$/fuçi.

Por, përkundër këtyre zhvillimeve pozitive në bursat botërore, në Kosovë çmimet ende qëndrojnë të larta.

Kryetari i naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka bërë të ditur se rënia e çmimeve ka filluar të reflektohet disi.

“Pas marrëveshjes për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit, tensionet janë ulur dhe çmimet e naftës kanë filluar të bien. Tregjet nuk po e shohin më si të afërt rrezikun për një luftë të madhe apo mbylljen e ngushticës së Hormuzit, që është rrugë kyçe për furnizimin me naftë. Prodhimi i lartë nga SHBA dhe kërkesa më e dobët nga Kina dhe Europa po e shtyjnë çmimin edhe më poshtë. Por nëse armëpushimi prishet ose ka ndonjë sulm në zonat e naftës, çmimet mund të rriten sërish shumë shpejt”, ka thënë Berjani.

Aktualisht, çmimet në Kosovë lëvizin në këto nivele:
Diesel: 1.24€ – 1.32€
Benzinë: 1.23€ – 1.31€

Qytetarët mbeten të pakënaqur që çmimet në vend bien shumë më ngadalë sesa rriten, ndërsa autoritetet pritet të mbikëqyrin më rreptësisht lëvizjet në tregun e karburanteve për të shmangur abuzimet.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë