Isak Neziri: Përbashkohemi për Drenasin, për PDK-në, për Thaçin e Veselin

Ish-kandidati për deputet nga Drenasi dhe përfaqësues i mërgatës në zgjedhjet e fundit, Isak Neziri, ka reaguar përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve të Drenasit, përkrahësve dhe aktivistëve besnikë të PDK-së, në kohën kur janë shpallur disa kandidatura për kryetar të komunës, transmeton portali DrenicaOnline.
Neziri, i cili në zgjedhjet e fundit kishte marrë afro 17 mijë vota nga mërgata, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së unitetit brenda PDK-së dhe fuqizimit të partisë, për të rikthyer atë si forcën e parë politike në Kosovë.
“Dashnia dhe përkrahja e sinqertë e qytetarëve nuk duhet ngatërruar me dëshirat tona individuale. Për qytetarët dhe për PDK-në, më e rëndësishme se gara është ruajtja e unitetit dhe rritja e partisë,” ka deklaruar Neziri.
Ai ka kërkuar qartësi dhe përbashkim, duke e cilësuar PDK-në si shtëpinë e madhe politike të të gjithëve dhe parti të trashëgimisë së madhe, që nga çlirimi, te shtetndërtimi i Kosovës.
Neziri po ashtu ka bërë të ditur se ka përmbyllur një nga zotimet e tij nga fushata – ndarjen e laptopëve për shkollat e Kosovës, ndërsa në shtator do të lansohet Fondacioni “Leotrim Ahmeti” për ndarjen e bursave për fëmijët në nevojë.
“Vazhdoj të besoj se asgjë nuk është më e rëndësishme se mbajtja e premtimeve publike para qytetarëve. Përbashkohemi për Drenasin, për PDK-në, për dy liderët tanë historik, Hashim Thaçi e Kadri Veseli,” ka përfunduar Neziri./DrenicaOnline/