E rëndë: Djali ther me thikë babain, rasti trondit QKMF-në

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pasditen e së hënës në Prishtinë, ku një i ri dyshohet se ka sulmuar me thikë babain e tij brenda shtëpisë së tyre, duke i shkaktuar plagë në pjesën e kofshës. Rasti ka shqetësuar stafin në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QKMF), ku fillimisht është paraqitur viktima për trajtim.
Burime të sigurta të Sinjalit brenda QKMF-së, që kanë parë nga afër gjendjen e të plagosurit, tregojnë se momenti kur ai është futur me plagë gjaku dhe dhimbje të forta ka shkaktuar tronditje te stafi mjekësor.
“Ishte i përgjakur dhe mezi ecte. Ishte goditje me mjet të mprehtë. Më vonë morëm vesh se ishte nga djali i tij”, tha një nga punonjësit, nën kushte anonimiteti.
Ndonëse i ofruam ndihmë dhe e mjekuam brenda mundësive tona, megjithatë e udhëzuam edhe për në QKUK, për t’u siguruar se trajtimi dhe ekzaminimi kompletohen dhe viktima merr kujdesin e duhur mjekësor, tha burimi i Sinjalit.
Gazeta Sinjali ka konfirmuar këtë sinjalizim edhe me burime brenda Prokurorisë, ku sipas informatave që kemi pranuar , rasti dyshohet se ka ndodhur më 23 qershor 2025, rreth orës 17:00, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
I dyshuari kishte therur babain e tij N.M. me një thikë në pjesën e djathtë të kofshës.
Viktima ka marrë ndihmën e parë në QKMF, ndërsa më pas është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm, thonë burimet nga Prokuroria.
Edhe njësitë policore janë vënë në dijeni dhe e kanë përcjell viktimën në QKUK për veprimet e mëtejshme.
Pas sulmit, i dyshuari është larguar nga vendngjarja në drejtim të panjohur, ndërsa Policia është duke e kërkuar.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha procedurat për inicimin e veprës penale “Dhunë në familje” dhe “Përdorim i mjetit të rrezikshëm”.