Ajvaz Berisha shpall kandidaturën për kryetar të Drenasit

Me afrimin e zgjedhjeve lokale të tetorit, prof. dr. Ajvaz Berisha ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar të Komunës së Drenasit, duke u paraqitur qytetarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë dhe kritik ndaj qeverisjes aktuale. Ai vjen me një subjekt të ri politik të quajtur “Bashkimi Demokratik”, me të cilin synon të sjellë ndryshim rrënjësor në mënyrën e udhëheqjes lokale.
Berisha thekson se angazhimi i tij në politikë nuk është për karrierë personale, por për t’u vënë në shërbim të qytetarëve, me dijen dhe përvojën që ai posedon si profesor dhe intelektual i njohur.
“Drenasit i kanë munguar transparenca dhe përgjegjësia. Me partinë Bashkimi Demokratik synojmë të ndërtojmë një komunë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të barabartë për të gjithë”, tha ai.
Ai kritikon ashpër modelin e deritashëm të qeverisjes në Drenas, duke e quajtur atë një formë të një sistemi të mbyllur politik, të lidhur me nepotizmin, korrupsionin dhe interesat e ngushta klanore.
“Drenasi nuk ka pasur mungesë sheshesh, por mungesë uji të pijes. Nuk kemi pasur mungesë fjalësh, por mungesë veprash. Dhe nuk kemi pasur mungesë pushtetesh, por mungesë të vullnetit për t’iu shërbyer qytetarëve”, u shpreh ai.
Në programin e tij përfshihen objektiva konkrete si përkrahja për bizneset, bujqit, kategoritë e luftës, si dhe përmirësimi i pozitës së grave dhe rinisë në komunë. Ai fton qytetarët, e veçanërisht rininë dhe intelektualët, të mos pranojnë më qeverisje të papërgjegjshme dhe t’ia japin besimin një alternative të re.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Berisha i bën thirrje qytetarëve të Drenasit që të votojnë me ndërgjegje dhe të mos e shesin të ardhmen për interesa të momentit.
“Qeverisja e mirë nuk është ajo që plotëson formularë, por ajo që ndryshon jetën e qytetarëve. Është koha për t’i dhënë fund një mentaliteti sundues që ka shkatërruar shpresën. Ne kemi programin, vizionin dhe njerëzit për ta ndryshuar Drenasin,” tha Berisha.
Ai përfundon duke u shprehur se Bashkimi Demokratik do të jetë një zë i qytetarëve, e jo i interesave të vjetra politike.