Shiti shtëpinë e vet për ta ndihmuar UÇK-në – Vdes veprimtari i madh i çështjes kombëtare, Ekrem Jashari

Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për vdekjen e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare dhe njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Jashari – Baci.
Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, ndërroi jetë një prej figurave më të hershme të rezistencës shqiptare në Ferizaj, i njohur për guximin, përkushtimin dhe sakrificat e mëdha për lirinë e Kosovës.
Ekrem Jashari ishte ndër të parët që në fillim të viteve ‘90, kur Kosova po kalonte nëpër një nga periudhat më të errëta të shtypjes nga regjimi serb, nuk qëndroi i heshtur. Në vitin 1993, ai ndërmori hapin e guximshëm për të formuar celulat e para të UÇK-së në Ferizaj, duke besuar se liria nuk do të vinte pa organizim dhe veprim të përbashkët.
Në një prej veprimeve më simbolike dhe sakrifikuese, Baca Ekrem shiti shtëpinë e tij në Ferizaj dhe të gjitha mjetet financiare i dhuroi për fondin “Vendlindja Thërret!”, duke i vënë në shërbim të luftës çlirimtare.
Ai ishte shembull i durimit, urtësisë dhe vendosmërisë. Për shumë të rinj që iu bashkuan UÇK-së në vitet në vijim, Baca Ekrem ishte jo vetëm inspirim, por edhe mbështetje morale. Ai jetoi me idealin për çlirim, liri dhe dinjitet kombëtar – dhe nuk hoqi dorë kurrë nga ky mision.
Lavdi jetës dhe veprës së Bacë Ekrem Jasharit!
U prehtë në paqe!