Ramiz Lladrovci: Jam dhe mbetem kandidat i PDK-së për Drenasin – pres vendimin zyrtar nga kryesia

Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka dalë publikisht me një deklaratë lidhur me kandidimin e tij për një mandat të ri, pas pyetjeve të shumta nga qytetarë dhe media.
“Kam qenë dhe mbetem kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, i përkushtuar për të vijuar me projektet dhe punën që po e bëjmë në pajtim me mandatin dhe mundësitë që i lejon ligji”, tha Lladrovci në deklaratën e tij.
Ai theksoi se vendimi zyrtar për kandidaturën e tij i takon Kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe Kryesisë së partisë. Duke e cilësuar veten si themelues të PDK-së, ish-deputet dhe udhëheqës komunal që nga viti 2016, Lladrovci vuri në pah edhe sukseset gjatë qeverisjes së tij.
“Gjashtë herë kampion i qeverisjes së mirë nga shtatë vitet e ekzistencës së garës për performancën komunale, dhe fitues i Çmimit Evropian për Qeverisjen e Shkëlqyer në Shkup – Drenasi ka treguar shembull të qeverisjes me standarde të larta,” deklaroi ai.
Lladrovci nënvizoi se gjatë gjithë qeverisjes së tij nuk ka pasur asnjë akuzë apo dënim ndaj tij apo ndonjë drejtori të komunës – duke e quajtur qeverisje “me duar të pastra”.
Ai kujtoi edhe vendimin e Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas, më 9 qershor, ku 41 anëtarë votuan në favor të kandidimit të tij për një mandat të ri, vetëm një ishte kundër dhe një abstenoi.
Në fund, Lladrovci u shpreh i qetë dhe i bindur se qytetarët e Drenasit do të vlerësojnë punën dhe rezultatet e arritura, ndërsa shprehu pritjen që PDK të vazhdojë t’i japë besim për ta përfaqësuar edhe më tej.
“Gjashtë herë Drenasi është komuna me qeverisjen më të mirë, transparente dhe llogaridhënëse. Besoj fort se do të shpallemi kampion edhe për herë të shtatë, tetë, nëntë e dhjetë…”, përfundoi Lladrovci.